E besoni apo jo, në Shqipëri ka njerëz që kërkojnë thesare të fshehura madje dhe kanë paisje nga më të fundit për këtë.

“Dikush tjetër gjuan peshk, dikush zogj, dikush del për gjueti në pyll, ndërsa unë kam pasion kërkimin e thesareve”, shprehet Shtator Advolli. Ai është një nga ata që rëndom thuhet se kanë lindur me shpirtin e aventurës. I ka pasur gjithnjë pasion gjërat me vlerë. Gjetja e thesareve për të është edhe mënyrë për të fituar por dhe për t’u argëtuar.

Ndërsa për Ramadan Lilollin, pasioni për kërkimin e thesareve lind nga një peng i rinisë së tij. Në vitin 1976 ka marrë pjesë në zbulimin e disa furrave djegieje të cilat u mbyllën me një urdhër enigmatik. Që atëherë dyshimi se mund të ketë pasur flori, ka mbetur për të si një ëndërr në sirtar të cilën 60-vjecari mendon ta zbulojë shumë shpejt. Deri më tani janë gojëdhënat dhe infomacionet e herëpashershme që e bëjnë të dalë për gjueti thesarësh. Në bashkërendim me metalzbuluesin, suksesi është i padiskutueshëm nëse mëson t’i përdorësh sic duhet.

Ndryshe nga gjuetitë e tjera, gjuajtja e thesarit s’është triumf që mund të ndahet me të tjerë. Askush s’tregon për rezultatet. “Gjarpri s’i tregon këmbët e veta”, pohon Gjergji. Ethet e thesarit gjithsesi ndonjëherë bëhen dhe të rrezikshme, vecanërisht për ata që kërkimin e kthejnë qëllim në vetvete. “Ka nga ata që kanë humbur qetësinë dhe kanë falimentuar”, shton Berti.

Por si ndahet thesari? Në Kodin e Procedurës Civile, shpjegohet qartë se thesar i përket pronarit të tokës ku gjendet thesari, dhe se personi që e zbulon ka të drejtën e një shpërblimi të aryeshëm që nuk duhet të kalojë gjysmën e vlerës së tij. Por a e dini se edhe Ali Pasha, ka qenë një gjuetar thesari? Studiuesi i tij, Sabri Godo rrëfen se dhe vetë pashai ka qenë i apasionuar pas kërkimit të thesareve, madje ai kishte punësuar një arkeolog holandez për të shuar kureshtjen e tij.

Ndërkohë si për ironi të fatit, një nga thesaret më të lakuara në media kohët e fundit është pikërisht thesari i Ali Pashes. Një ekspeditë ka nisur kërkimet në Greqi për të gjetur pasurinë që pretendohet se arrin 30 ton ar dhe bizhuteri. Po ku mund të jetë thesari i Ali Pashës? Për Godon, përgjigja duhet gjetur në Tepelenë. Një informacion që me siguri nuk do t’u shpëtojë gjuetarëve të thesarëve që në Shqipëri e kanë kaluar numrin 200.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA