Bashkëjetesë me kontratë

04/10/2010 19:05

Elda Danga prej dy vitesh endet nëpër dyert e gjykatave pasi ka bashkëjetuar pa kontratë.

Ajo ka dy vjet që është ndarë nga partneri, me të cilin kishte marrë edhe kredi për të blerë një shtëpi të madhe, strehëz ku do të ndanin ëndrrat e tyre të dashurisë.

Por pas dy vjetësh bashkëjetesë ata kuptojnë se jeta e përbashkët nuk mund të funksiononte dhe gjenden para problemit se si do ta ndanin shtëpinë për të cilën paguajnë që të dy kredi.

“Problemi qëndron se ai mohon të gjithë kontributin tim gjatë kësaj periudhe. Në këto raste faturat i paguan burri edhe pse kontributi është i të dyve”, thotë Elda.

Mosmarrëveshjet që kanë aktualisht nuk ua zgjidh dot as ligji. Në Kodin e Familjes ka dy nene që përcaktojnë se çfarë është bashkëjetesa, por nuk ka orientime për ndarjen e pasurisë që është krijuar gjatë kësaj kohe nëse më parë nuk është bërë një marrëveshje me kontratë.

“Deri më tani gjatë eksperiencës sime nuk kam hasur ndonjë çift që të ketë bërë një hap të tillë ku të bëhet një rregullim i mosmarrëveshjeve”, shprehet avokat Genc Terpo.

Këto dy vite për Eldën, kanë qenë më të vështirët gjatë gjithë jetës së saj. Përveç ndarjes së dhimbshme pas gjashtë vitesh njohjeje, i duhet të përballet dhe me konfliktin e ndarjes së kontributeve të përbashkëta për të cilin të dy palët nuk bien dakord.

“Mendoj se meshkujt shqiptarë nuk e kanë kuptuar bashkëjetesën. Dhe në të tilla raste kjo shfrytëzohet në favor të meshkujve”, pohon Elda.

Kjo eksperiencë nuk e ka bërë të jetë kundër bashkëjetesës, përkundrazi ia ka përforcuar konceptin për të qenë pro saj. Por e ka bërë të kuptojë që të shkosh para një noteri dhe të vendosësh për të ardhurat e tuaja është hapi i parë që duhet të ndërmarrë një çift që ka vendosur të bashkëjetojë.

“Nuk do të thotë se ju s’e doni partnerin, por do të thotë që partnerët të mos vuajnë atë që unë po kaloj tani”, shprehet Elda.

Avokati Genci Terpo konfirmon se në vendin tonë nuk ekziston kultura e të nënshkruarit të kontratës së bashkëjetesës megjithëse numri i personave që zgjedhin këtë formë jetesë sa vjen e rritet. Por çfarë është në thelb një kontratë bashkëejetese?

“Në ligj parashikohet edhe mënyra se si bëhet kontrata. Çifti shkon para noteres dhe vendos për mënyrën se si do të administrohet pasuria e tyre”, shprehet avokati.

Përveç problemit të ndarjes së pasurisë, në marrëdhënien e bashkëjetesës, shpeshherë raportohet dhe problemi i atësisë së fëmijës. Duke qenë se bashkëjetesa pa kontratë nuk njihet nga ligji, pasojat më të mëdha prekin atë që është më “i dobti” në çift.

“Pasojat prekin më shumë femrën, sepse në rast kur nuk funksionon ligji, fiton më i forti”, tregon Elda.

Specialistët theksojnë se edhe pse bashkëjetesa sa vjen e praktikohet si një formë moderne e jetës në çift, niveli i informacionit se çfarë ndodh me investimin e përbashkët nëse bashkëjetesa përfundon në ndarje është shumë i ulët. Për fat të keq, nëse përpara nuk është bërë një kontratë, situata përfundon në vetëgjyqësi.

“Përsa kohë kjo gjë nuk realizohet përpara noterit nuk ka asnjë lloj zgjidhjeje juridike se i takon dikujt pasuria. Në këtë rast fiton më i forti midis palëve”, thotë avokati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA