Qindra mijëra persona kanë zbritur sot në rrugët e Francës për të protestuar kundër planeve për rritjen e moshës së pensionit.
Por numri i pjesëmarrësve në protestë është kthyer në një cështje, mbi të cilën janë zhvilluar debate të egra.
Sindikatat franceze shpresonin të mblidhnin më shumë mbështetës se në protestën e 7 shtatorit, duke paraqitur një numër të rritur, por qeveria tha se pjesëmarrësit ishin më të paktë se dy javë më parë.
Gjithsej ishin programuar mbi 230 demonstrata, të shoqëruara me ndërprerjen e shërbimeve të transportit ajror dhe hekurudhor.
Reforma e pensioneve në Francë, që ngre moshën nga 60 në 62, ka kaluar në dhomën e ulët të Parlamentit, ndërkohë që më 5 tetor do të diskutohet në Senat, ku pritet të kalojë me lehtësi.
Presidenti Sarkozi ka deklaruar se reforma është e nevojshme për të ndalur deficitin buxhetor të Francës dhe për të luftuar plakjen e popullsisë.
Top Channel