Të “jetosh” në qiell…

21/09/2010 18:50

Eshtë e rrallë të dëgjosh një zë piloti në shqip ndërsa udhëton me avion nga vendi ynë. Në të vërtetë i vetmi zë që mund të dëgjosh është ai i Elgin Zaimit pilotit të vetëm shqiptar që drejton një avion civil në Shqipëri. 

“Jam shumë pro që të kemi sa më shumë shqiptarë në komandat e avionëve shqiptarë. Kur piloti flet shqip, udhëtarët ndihen më të relaksuar”, shprehet ai. Në aviacionin civil shqiptar vetëm Elgini dhe një ndihmës pilot janë vendas.

Pjesa tjetër janë të huaj nga vende të ndryshme të botës. Një mungesë e tillë shpjegohet me koston e lartë të shkollës, studime të cilat duhet të kryhen jashtë shtetit pasi këtu nuk ka shkollë për aviacion civil, por vetëm për ushtarak. “Dëshirë ka dhe shumë stjuardë duan të bëhen pilotë dhe janë në procesin e marrjes së një burse për të kryer studimet”, shton Elgini. Ai ka studiuar në Francë në një shkollë që i ka kushtuar më shumë se 100 mijë euro. Elgini ishte një nga të shumtët fëmijë që kur i pyesnin se cfarë do bëheshin kur të rriteshin, shprehnin dëshirën për t’u bërë pilot, por një ndër të vetmit që këtë ëndërr e bënë realitet.

“Që kur kam qënë fëmijë, e kam pasur enderr që në shkollë në klasat e para, kur në kohën tonë ishin vetëm pilotët ushtarakë dhe sa herë shikoja avionë më pëlqente shumë një gjë e tillë”, thekson piloti shqiptar. Megjithëse nga shumë njerëz profesioni i pilotit konsiderohet i rrezikshëm, për Elginin ai është i tillë si për cdo profesion tjetër.

Frika për të nuk ekziston, vetëm prezenca e emocioneve në situata kur kushtet atmosferike janë të vështira. Gjatë këtyre shtatë viteve punë, nuk ka pasur asnjë incident. Ndërkohë që pasioni për të fluturuar në qiell sa vjen e shtohet. Pasioni për të qenë i shkëputur nga toka e bën që dhe pushimet t’i marrë të shkurtuara. Koha më e gjatë që mund të konsumojë në fluturim janë 6 orët e lejuara. Nuk i ka ndodhur shpesh që të shkëputet për një kohë të gjatë nga profesioni, por ka provuar që mungesa e bën të kthejë sytë nga qielli.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel