
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu udhëtoi sot për në Nju Jork. Me te do bashkohen edhe kryeministri Hashim Thaçi e ministri i punëve të Jashtme, Skënder Hyseni.
Ata do të marrin pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i ShBA-ve, Barak Obama, me rastin e hapjes së sesionit të 65-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Gjatë kësaj vizite pritet që të zhvillojnë takime me liderë dhe përfaqësues të ndryshëm të shteteve, ku do t’i bëjnë thirrje shteteve që ende nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë.
Po ashtu, në këtë pritje të organizuar nga presidenti amerikan, do të marrë pjesë edhe shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, ku mësohet se në margjinat e sesionit të ri të Asamblesë së Përgjithshme do të bisedohet rreth modaliteve për bisedimet teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Fatmir Sejdiu, do të mbajë një ligjeratë në Universitetin e Harvardit.
Top Channel