Papa, në pranga atentatori i gjashtë

17/09/2010 20:35

Një person i gjashtë është arrestuar në Britaninë e Madhe në lidhje me kërcënimet ndaj atit të shenjtë Papa Benedikti XVI.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Scotland Yard, sipas të cilës bëhet fjalë për një person 29 vjecar, që është prangosur nga skuadrat e anti-terrorizmit rreth mesditës në shtëpinë e tij në veri të Londrës.

Në orët e para të mëngjesit e njëjta njësi policore arrestoi në kryeqytetin britanik 5 persona, të cilët ishin me origjinë nga vende islamike dhe donin të vrisnin Papën.

Sipas mediave britanike, ata u arrestuan pak momente para orës 06:00, në bazë të një informacioni që vinte nga shërbimet sekrete.

Sipas burimeve, ata dyshohen se kishin përgatitur ose nxitur sulme terroriste në kryeqytetin britanik.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Vatikani, që ka deklaruar se Papa është njoftuar për arrestimet dhe se është plotësisht i qetë.

Selia e shenjtë ka bërë të ditur gjithashtu se Benedikti XVI do të vazhdojë ashtu sic kishte parashikuar itinerarin e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Top Channel