
Policia ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë në lidhje me paratë e dhëna me fajde nga dy personat e arrestuar pak ditë më parë në Patra.
Ata duhet të dëshmojnë në lidhje me funksionimin e kësaj skeme, ku protagonist ishte një 35-vjeçar me kombësi shqiptare. Mediat greke, të cilat i referohen burimeve policore, shkruajnë se përveç tyre do të thirren për të dëshmuar edhe dy persona të cilët mendohet se janë viktima të skemës mashtruese dhe se ata ishin të detyruar të paguanin shuma të mëdha parash për huanë e marrë nga të arrestuarit.
Hetimet për paratë e dhëna me fajde filluan kur dy të akuzuarit u arrestuan dhe ndaj tyre u ngrit akuza për shantazh dhe grabitje. Prokuroria kërkoi lënien e tyre në burg për të vazhduar hetimin e çështjes dhe marrjen në pyetje të personave që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Policia dyshon për një rrjet të organizuar që shfrytëzonte nevojën e individëve dhe sipërmarrësve, për para që të financonin bizneset e tyre në rënie, duke iu ofruar atyre sasi të konsiderueshme eurosh me përqindje të majme.
Policia ka zbardhur skemën e dhënies me fajde të eurove nga një çift i arrestuar dy ditë më parë. Policia në fillim ishte nisur për të vënë në pranga dy shantazhues pas denoncimit të një qytetari grek, por më pas agjentët dyshuan se dy personat kishin dhënë para me kamatë. Në mënyrë të veçantë, mbi këtë veprimtari hodhën dritë disa ankesa të bëra në polici se dy persona, një grua 34 vjeçe nga Patra dhe një burrë 35 vjeç me origjinë shqiptare i kishin bërë shantazh për marrjen e një çeku prej 6400 eurosh një biznesmeni të cilit i kishin huajtur 55 mijë euro me përqindje të lartë që shkonte deri në 60 për qind në vit.
Sipas mediave greke, të cilat u referohen burimeve policore, denoncimet e disa personave i orientuan ekspertët drejt zbulimit të aktivitetit të paligjshëm të çiftit shqiptaro-grek.
Denoncues i parë kishte qenë një biznesmen, 45-vjeçar grek, i cili kishte deklaruar se u kishte marrë shqiptarëve 55 mijë euro, të cilat i kishte përdorur për mëkëmbjen e biznesit të tij, por ata i kishin kërkuar një interes të majmë, që ai i paguante rregullisht. Madje biznesmeni i ka kthyer përveç detyrimit edhe 14 mijë euro më shumë huadhënësve. Biznesmeni grek nuk ka mundur ta likuidonte pjesën e mbetur shqiptarëve, për shkak të rënies së të ardhurave nga biznesi, ndaj dhe u detyrua t’i drejtohej policisë për ndihmë. Përveç tij, në dyert e hetuesve të krimit ekonomik të policisë në Patra trokitën edhe të tjerë persona për të njëjtin problem. Kjo u ka mjaftuar agjentëve me uniformë që të vënë në pranga çiftin shqiptar nën akuzën e “vjedhjes me anë të mashtrimit” dhe krijimin e skemës piramidale, të ngjashme me ato të Shqipërisë në vitet 1995-1997.
Shqiptarët nuk pranuan për asnjë moment se e kishin mashtruar biznesmenin, e madje ata i thanë policisë se kjo kishte qenë një kontratë e lidhur mes tyre dhe 45-vjeçarit grek, që ua lejonte një gjë të tillë dhe se nuk e dinin që ligjërisht ky veprim ishte i gabuar.
Dy ditë më parë, burrë e grua u paraqitën para gjykatësve në Patra, të cilët vendosën të jepnin burg pa afat për ideuesit dhe aplikuesit e dyshuar të piramidës së pastër financiare. Ata do të qëndrojnë në qeli deri në përfundimin e hetimeve. Policia greke po heton aktivitetin e çiftit për të identifikuar edhe persona të tjerë që kanë qenë pjesë e grupit të dyshuar për aktivitet të jashtëligjshëm financiar.
Top Channel