Thyhet Beogradi dhe lajmëron se projekt-rezoluta mbi Kosovën do të ndryshojë. (UPDATE)

Si rezultat i bisedimeve telefonike mes përfaqësueses së lartë Catherine Ashton dhe presidentit Boris Tadic, këtë pasdite Ministria e Jashtme serbe është urdhëruar që të rishkruajë draftin mbi Kosovën përpara se të mblidhet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 9 shtator.

Lajmi u konfirmua nga zyra e Ashton. Kështu, në projekt/rezolutën e ndryshuar serbët premtojnë se:

1: termi “diskutime mbi të gjitha cështjet e hapura” do të shndërrohet në “dialog mes Prishtinës e Beogradit”;

2: nuk do të ketë përcaktim të Kosovës si shtet;

3: hiqet paragrafi “shkëputja e njëanshme nuk është e pranueshme”.

Kjo konsiderohet qartësisht fitore për përfaqësuesen e lartë të Unionit, e cila u mandatua nga 27 vendet anëtare për të gjetur “mirëkuptim të përbashkët” me Beogradin përpara votës në OKB, ku BE rrezikonte të shfaqej i përcarë në sytë e botës, meqenëse 22 shtete do të votonin kundër projekt-rezolutës serbe, ndërsa 5 të tjerat, që nuk e njohin ende pavarësinë e Kosovës, do të mbështesnin publikisht Beogradin.

Një natë më parë, darka mes dy përfaqësuesve të lartë nuk dha rezultat, madje shancet u ulën ndjeshëm në mesditë, kur zëdhënësja e Ashton u tregua e rezervuar ndërsa pyetej mbi komunikimin mes palëve.

Që prej shpalljes së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës se, deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkel asnjë ligj ndërkombëtar, as rezolutën 1244 e as kornizën kushtetuese që buronte prej saj, Brukseli ka bërë thirrje për dialog mes Prishtinës e Beogradit, në emër të së ardhmes së përbashkët europiane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA