31 vjecari Hakif Mehmeti u ekzekutua me armë zjarri në lagjen “Kodra e Minatorëve” ne veri të Mitrovicës, shumë pranë shtëpisë së tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi të martën rreth orës 22:00 në lokalin të cilin viktima e kishte marrë me qera nga një polic serb për të punuar gjatë muajit të Ramazanit.

Hakif Mehmeti është emër i njohur si për autoritetet policore, sepse disa herë ka qenë i përfshirë në konfliktet ndëretnike mes shqiptarëve dhe serbëve.

Ai njihet edhe nga gazetarët sepse bashkëpunonte me ta në lidhje me problemet në veri, ndërsa personalisht mbante një kamera me të cilën xhironte të gjitha ngjarjet në pjesën problematike të Mitrovicës.

Familja e të ndjerit është zhvendosur në jug të qytetit per të pritur ngushellime. Së fundmi, sipas familjarëve, Hakif Mehmeti ka punuar në mbledhjen e dokumenteve të pronave të shqiptarëve të dëbuar nga “Kodra e Minatorëve”, pasi kishte dëgjuar se qeveria do të rindërtonte shtëpitë në këtë lagje veriore.

“Ai dy muajt e fundit u mundua të mbledhë fakte për rindërtim të shtëpive. Ai ka biseduar me familjarë të të dëmtuarve, mes të cilëve jam edhe unë. Kjo ia hëngri kokën”, tregon Shefik Mehmeti, i afërm i viktimës.

Policia zyrtarisht thotë se nuk i di motivet e ngjarjes dhe as vrasësin. Burime zyrtare të policisë konfirmuan në kushte anonimati se i dyshuari kryesor i përfshirë në këtë ngjarje është pikërisht pjesëtari serb i policisë së Kosovës, i cili pas plagosjes e kishte dërguar viktimën ne spital.

Kjo nuk është konfirmuar nga hetuesia për mungesë faktesh. Por për rastësi policia gjatë bastisjes së shtëpisë së policit serb me qëllim zbardhjen e vrasjes, ka gjetur dokumente që dëshmojnë se ky polic është edhe pjesëtar i MUP-it serb.

Rrjedhimisht, polici serb është pezulluar nga puna por pavarësisht dyshimeve ai nuk është ndaluar.

“Menjëherë pas incidentit nuk kemi pasur një reagim në formë proteste, por kjo nuk do të thotë se nuk nxit një reagim të banorëve aty. PK do të jetë gjithmonë pranë banorëve”, deklaron Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Pjesë e provave të policisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje është një makinë e cila u gjet e djegur pasditen e së mërkurës në fshatin Kremeshtak të komunës së Zvecanit.

Dyshohet se pikërisht me këtë makinë janë larguar nga vendi i ngjarjes personat të cilët qëlluan me tre plumba mbi të riun Hakif Mehmeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA