Ministri i Jashtëm Ilir Meta, i cili po lobon në Nju Jork kundër rezolutës serbe për Kosovën, ka deklaruar se do të kishte qenë më mirë sikur Beogradi ta kishte dëgjuar që në fillim BE-në.

Në një intervistë për VOA, Meta është shprehur se i rëndësishëm është konsensusi mes 27 vendeve anëtare të BE, që sipas tij do të ndikonte në zhvillimet e rajonit.

“Do të ishte mirë sikur Serbia ta kishtë dëgjuar BE-në dhe të mos dërgonte një rezolutë, por më mirë vonë. Ne shpresojmë se në këto momente do të kompletohet kompromisi i vendeve të BE, që do të ishte rruga më e mirë për të ndihmuar në mbarëvajtjen e zhvillimeve të mëtejshme në Kosovë dhe në integrimin evropian të Serbisë”, ka pohuar Meta.

Meta ka theksuar se në këto 40 ditë, diplomacia shqiptare ka bërë një punë intensive në Nju Jork, duke u përpjekur të bindë vende të ndryshme, kryesisht ato që s’e kanë njohur Kosovën, që të mos mbështesin rezolutën e Serbisë.

Ministri i Jashtëm ka bërë të ditur gjithashtu se ka marrë garanci nga disa prej këtyre vendeve, se do ta njohin Kosovën së shpejti.

“Kemi zhvilluar disa forume me përfaqësues të OKI-t, ku kemi gjetur mbështetje të plotë, me vendet e Karaibeve dhe ambasadorët e Francës, Britanisë, Turqisë, SHBA, etj. Kemi marrë garanci edhe nga vende të tjera se do ta njohin Kosovën dhe se do votojnë kundër rezolutës serbe”, ka shtuar Meta.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA