Dështojnë bisedimet mes Brukselit dhe Beogradit për gjetjen e gjuhës së përbashkët mbi projektrezolutën e Kosovës që pritet të votohet në selinë e OKB-së në 9 shtator.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton darkoi në mbrëmje me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Në vijim të përpjekjeve të saj për gjetjen e kompromisit rreth tekstit të projektrezolutës mbi Kosovën, Baronesha Ashton ftoi enkas numrin një të Beogradit, meqënëse ajo ka marrë dhe përkrahjen e 27 vendeve anëtare që Tadiçit t’i ofrojë formulime kompromisi, ku nuk do të përmendej as rinisja e negociatave mbi statusin, por as shtetësia e Kosovës.

Zyrtarët e Brukselit kanë shpresuar se këto formulime do ishin bazë e mirë për arritjen e kompromisit. Pozicioni i përsëritur i deritanishëm i Serbisë është për bashkëpunim me BE-në, por kundër pranimit të një dokumenti që bie ndesh me interesat nacionale të vendit.

Në komunikatën për shtyp pas takimit me Presidentin Tadiç, zyra e Ashton njofton se për bisedimet në vijim të mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Tadiç ka premtuar se do të kontaktojë sërish të mërkurën Catherine Ashton.
 

Top Channel