Ish-kryeministri britanik Tony Blair shprehet se ndërhyrja ushtarake në Kosovë ka qenë më tepër një cështje morale, që ka shënuar edhe një nga sukseset më të rëndësishme në qeverisjen e tij.

Në librin e tij “Një udhëtim”, ku Kosovës i janë dedikuar plot 30 faqe, Blair shkruan se spastrimi etnik që po kryhej nga forcat serbe në Kosovë ishte i papranueshëm.

“Kosova në thelb ishte një cështje morale. Cdo ndërhyrje ushtarake sjell rreziqet përkatëse, por edhe mosndërhyrja është po aq e rrezikshme”, shkruan Blair, duke marrë si shembull Bosnje e Hercegovinën në fillim të viteve ’90.

Ish-kryeministri shprehet më tej se motivi i tij kryesor për ndërhyrjen ushtarake ishte “zemërimi” për atë që po ndodhte në Kosovë.

“Njerëzit e zakonshëm dëboheshin nga shtëpitë e tyre, shndërroheshin në refugjatë, ose vriteshin, dhunoheshin dhe rriheshin në mënyrën më të egër”, shton më tej Blair.

Top Channel