Ministri i Jashtëm sllovak, Mikulas Dzurinda ka përforcuar edhe njëherë pozicionin e vendit të tij për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve sllovake, TASR, kryediplomati sllovak u shpreh se vendi i tij përveç interesit të Kosovës po shqyrton seriozisht edhe interesat e Beogradit.
“Kuptojmë mjaft mirë interesat e Kosovës, por nga ana tjetër kemi marrë parasysh shumë seriozisht edhe interesin e Beogradit”, deklaron Dzurinda.
Por në fjalën e tij sllovaku nuk mohon kategorikisht njohjen e Kosovës, ai thjesht përjashton mundësinë e njohjes së saj për momentin. Dzurinda kritikon gjithashtu edhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila sipas tij nuk trajtoi thelbin e çështjes, e për pasojë nuk zgjidhi asgjë.
“Nuk kemi deklaruar asnjëherë se nuk do ta njohim kurrë Kosovën. GJND nuk preku thelbin e çështjes, ndaj nuk zgjidhi asgjë, për pasojë ne i qendrojmë vendimit tonë për të mos e njohur Kosovën”, thuhet në deklaratën e Mikulas Dzurinda.
Reagimi i Dzurindës ka ardhur pas apelit të Ministrit të Jashtëm gjerman, Guido Vestervele, i cili nga Prishtina ftoi 5 vendet anëtare të BE-së, Rumaninë, Spanjën, Qipron, Greqinë dhe Sllovakinë, që nuk e kanë njohur ende Kosovën ta ndërmarrin këtë hap sa më parë.
Top Channel