
Një gjë e vështirë për ta besuar, por që në realitet po ndodh: klubet e natës në Prishtinë po mbyllen.
Kjo për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në kryeqytet dhe mos pajisjes me lejet e punës.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me inspektoratin komunal dhe administratën tatimore të Kosovës këtë javë ka nisur një aksion gjatë të cilit ka mbyllur disa lokale veprimtaria e të cilave bie ndesh me ligjet në fuqi.
Aksioni ka prekur diskotekat prapa pallatit të rinisë, kafenetë në rrugën “Rexhep Luci”, bulevardi “Nënë Tereza” dhe në Qytezën Pejton.
Togeri Driton Ymeri shpjegon se sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi restorantet kanë të drejtë pune deri në orën 24, ndërkaq baret vetëm deri në orën 23:00.
Diskotekat të cilat duan të ofrojnë shërbime pas orës 23:00 duhet të pajisen me leje të veçantë nga komuna dhe të kryejnë pagesa shtesë.
“Ky operacion ka ardhur si shkak i shqetësimeve jashtëzakonisht të mëdha të qytetarëve të Prishtinës në lidhje me zhurmën që bëhet nëpër lokalet e natës. Për shkak, gjatë kontrollit të këtyre lokaleve, kemi shkuar deri në mbylljen e disa prej tyre cilat nuk i kanë respektuar rregullat e orarit të punës apo disa prej tyre nuk ka pasur një leje pune”, është shprehur Driton Ymeri, shefi operativ në stacionin policor Nr.1.
Vera e vitit 2010 në Prishtinë vlerësohet si mjaft e pasur për sa i përket prezencës së grupeve të huaja muzikore, por edhe interpretimit të artistëve shqiptarë në klube nate.
Andaj për menaxheret e klubeve të natës, policia dhe komuna po ndërmarrin veprime të njëanshme duke i gjobitur e mbyllur klubet e natës, por jo edhe kazinotë dhe lojërat e tjera të fatit të cilat veprojnë në lokacione të njëjta.
“Sipas rregullores së Komunës së Prishtinës, lokalet gjatë sezonit të natës mund të punojnë nga ora 20 deri në 3, por vetëm me kushtin që të mos prishin qetësinë publike. Ndërkohë që lokalin tim e kanë mbyllur në mënyrë të parregullt”, thekson Drin Zatriqi, menaxher.
Pavarësisht gatishmërisë së bareve për t’u pajisur me dokumentet e nevojshme, burime brenda policisë thanë se po shqyrtohet mundësia që lokalet me shërbim pas orës 24 të zhvendosen në periferi të kryeqytetit.
Top Channel