
Me apo pa lejen e autoriteteve kosovare, ministri serb për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, po qëndron në Kosovë.
Ai ka hyrë në territorin e shtetit të enjten rreth orës 23:00 nga kufiri verior bën të ditur policia e Kosovës.
Sipas zëdhënësit Baki Kelani, gjatë kontrollit policor Bogdanoviç ka deklaruar se vizita e tij është e natyrës private dhe se ai do të vizitonte familjen e tij në fshatin Leshak të Komunës së Leposaviçit.
Çka do të thotë se edhe Bogdanoviç ashtu si këshilltari i tij Petkoviç, kanë shfrytëzuar origjinën e tyre nga Kosova për të sfiduar autoritetin e Prishtinës zyrtare.
Sidoqoftë Bogdanoviç ka shfrytëzuar pozitën e tij prej ministri duke zhvilluar kështu takime me sindikalistë e punëtorë serbë në veri.
Mësohet se temë e takimit kanë qenë pagat apo shtesat që serbët e Kosovës duhet të marrin nga buxheti i shtetit serb.
Policia lidhur me këtë çështje deklaroi se deri sa takimet nuk janë publike, ata nuk mund të ndërhyjnë në veprimet e politikanëve serbë.
Top Channel