Lideri i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH) dhe kryetar i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i ka deklaruar agjencisë serbe “FoNet” se partia e tij “me vëmendje të madhe” i ndjek sjelljet e serbëve në Kosovë dhe se sjelljet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të jenë identike me politikën e serbëve në Kosovë.

Mustafa ka thënë se PDSH-ja përshëndet si “akt të drejtësisë” mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe se është e gatshme të përshëndesë bisedimet e pritshme ndërmjet Prishtinës e Beogradit si dy shtete të pavarura fqinje. “Është e sigurt se politika e shqiptarëve në Luginën e Preshevës do të jetë në proporcionale dhe paralele me politikën e serbëve në Kosovë”, ka deklaruar Mustafa.

Por këtë qëndrim nuk e kanë të gjitha partitë shqiptare në Luginë. Para pak kohësh, një tjetër politikan, kreu i Partisë Demokratike Kombëtare nga Lugina, Nexhmedin Saqipi, ka fajësuar klasën politike shqiptare të Luginës së Preshevës, pasi sipas tij, ka bërë gabim që ka kërkuar reciprocitet me serbët e veriut të Kosovës, duke i aktualizuar dhe sensibilizuar kërkesat e tyre për shkëputje, bashkim, autonomi e status special.

Çështja serbe e veriut të Kosovës, sqaron Saqipi, është vënë në axhendë të bisedimeve pas luftës, ndërsa aspiratat e shqiptarëve të krahut lindor të Kosovës, zanafillën e kanë që nga shkëputja e tyre nga trungu etnik dhe aneksimi i dhunshëm, duke u vendosur si qendra rrethi në Serbi. Praandaj, shtron pyetjen Saqipi, si është e mundur të kërkohet reciprocitet në mes një komuniteti serb në Kosovë me një etnitet në Serbi, i cili që nga viti 1992 ka shprehur përmes referendumit vullnetin politik, ka bërë një luftë çlirimtare se në çfarë bashkësie do të jetojë në të ardhmen.

Përveç klasës politike shqiptare të Luginës, Saqipi ka fajësuar edhe shtetin e Kosovës, ngase sipas tij do të jetë paksa e çuditshme se si lidershipi në Kosovë, në njëfarë mënyre ka pranuar idenë e spektrit politik nga Lugina, për një reciprocitet me minoritetin serb, i cili gjithherë ka prodhuar destabilitet, i nxitur nga qarqe të ndryshme të Beogradit. “Pra, me një fjalë, është marrë si modalitet e keqja, dhuna, rebelizmi për reciprocitet”, ka thënë ai. “Shqiptarët e Luginës janë autoktonë në trojet e tyre etnike. Ata nuk janë ardhacakë nga viset e tjera, por denbabaden jetojnë në këto vise, të cilat, mjerisht, janë cunguar e sakatosur që nga Molla e Kuqe e deri në Bujanoc e Preshevë, dy shtylla që e quajnë veten me të drejtë Kosovë Lindore”, shpjegon Saqipi.

Në një takim që kanë mbajtur në fillim të muajit, përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të Malësisë së Madhe të Malit të Zi kanë kërkuar nga institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës që të ngrenë zërin për mbrojtjen e të drejtave të tyre, të mohuara nga institucionet e shteteve ku jetojnë. Të mbledhur në një tryezë të emërtuar “Të ndarë e të (pa) mbrojtur”, në Pejë, ata kanë pohuar se realiteti në këto dy vise shqiptare, të mbetura jashtë kufijve të dy shteteve amë, është shumë i dhimbshëm, ndërkohë që mungon përkujdesja e institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës për të sensibilizuar edhe opinionin ndërkombëtar për gjendjen atje. Për më shumë përfaqësuesit e këtyre viseve, të përkrahur edhe nga organizata të ndryshme joqeveritare të Pejës, kanë deklaruar se vizitat e figurave politike të Shqipërisë dhe Kosovës në shtetet e tyre dhe opinionet për gjendjen e elementit shqiptar atje janë të paqëndrueshme dhe krejt ndryshe nga realiteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA