Policia e Kosovës ka filluar patrullime të rrepta nëpër të gjitha rrugët e vendit. Të gjithë drejtuesit që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar mund të përballen me gjoba deri në 270 euro dhe, më e keqja, me heqjen e patentës deri në 6 muaj.

Në këtë aksion, i cili do të vazhdojë me muaj, uniformat blu kanë futur në përdorim edhe veturat civile.

Në këtë mënyrë policia po ndëshkon të gjithë shoferët që nuk i respektojnë normat e lejuara të shpejtësisë. Ky aksion po përkrahet edhe nga vetë shoferët.

“Unë kam paguar shumë gjoba dhe tani kam kujdes. Por kështu duhet bërë”, shprehet një prej tyre.

Ndërkohë që vetë policët theksojnë se ky operacion nuk do të kursejë askënd, as policët që ecin me shpejtësi të lartë.

“Në rrugë gjithkush duhet t’i përshtatet shpejtësisë. Nëse respektohen shenjat, askush nuk do të gjobitet. Si të jetë makinë me targa policie, si me targa civile, nuk do të ketë lëshime”, deklaron Shefki Zeka, polic i trafikut.

Sipas të dhënave të policisë, vetëm gjatë 24 orëve të fundit në aksidente trafiku kanë vdekur 4 persona, ndërkohë që kanë mbetur të lënduar 22 të tjerë.

Top Channel