
Ekspertë të policisë financiare greke shkatërrruan një piramidë financiare. Lajmi u bë publik nga zyra e shtypit e task forcës greke për krimin ekonomik.
Mësohet se deri tani janë marrë në pyetje dy persona, ndërsa ekspertë të krimit ekonomik, të ndihmuar prej agjentëve të krimit elektronik, kanë mundur të bllokojnë të gjithë mekanizmin e ngritur prej dy të dyshuarëve si kokat e kësaj skeme mashtimi.
Sipas njoftimit të autoriteteve greke, një person që deklarohej si ekonomist dhe bashkëshortja e tij, të dy shtetas amerikanë me origjinë greke, u kapën në flagrancë duke ngritur një mekanizëm tepër të sofistikuar piramidal.
Në llogaritë e kompanisë fantazmë të 45 vjecarit dhe gruas së tij u gjetën 13 milionë euro dhe 11 milionë dollarë.
Paratë depozitoheshin në llogaritë e ciftit prej klientëve, në disa vende të botës, nga kompani të huaja dhe individë, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë.
Hetimet nisën me dyshimin për pastrim, por në vazhdim autoritetet greke zbuluan se kishin të bënin me një ndër skemat më të mëdha piramidale të zbuluara ndonjëherë në vend.
Të pyetur prej organeve greke dhe amerikane, klientët deklaruan se u ishte premtuar normë më e lartë interesi se cdo bankë tjetër kudo në botë, si dhe shmangie të taksave.
Autoritetet greke njoftuan se do vazhdojnë hetimet lidhur me përmasat e plota të kesaj skeme mashtrimi. Kjo është hera e tretë gjatë këtyre 10 viteve të fundit që në Greqi tentohet të ngrihet një skemë piramidale.
Top Channel