Ministri i Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni ka deklaruar se Prishtina zyrtare pret shumë njohje të pavarësisë pas vendimit të GJND-së.

Në një intervistë për VOA, Hyseni është shprehur se vendimi i gjykatës së Hagës mbi pavarësinë nuk mund të ishte më i qartë.

“Opinioni ishte i qartë dhe kjo ka ndikuar në shumë vende që kanë vonuar njohjen në pritjen e mendimit të gjykatës. Tani ato po shqyrtojnë mundësinë që të bëjnë njohjen në një periudhë sa më të shkurtër. Janë rreth 35 vende që kanë paralajmëruar se do ta bëjnë këtë menjëherë pas vendimit të gjykatës. Njohjet mund të mos ndodhin gjatë këtij muaji, por do të vijnë”, ka pohuar Hyseni.

Shefi i diplomacisë kosovare, i cili po lobon në OKB për pavarësinë, ka nënvizuar se Kosova do të punojë për të fituar betejën edhe në Asamblenë e Përgjithshme dhe ka shtuar se opsionet për ndarjen e Kosovës dhe për shkëmbime territoresh janë të papranueshme.

Ndërkohë, të hënën Hyseni do të pritet në një takim nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, të cilit pritet t’i kërkojë pjesëmarrjen në Asamblenë e Përgjithshmë.

Top Channel