
Diskutimi i strategjisë mbi privatizimin e Post-Telekomit të Kosovës në Kuvend ka sjellë bojkotimin e opozitës.
Premtimi i kryeministrit Thaçi se privatizimi i PTK-së do të kalojë në një proçes transparent dhe se do të shitet në bazë të vlerës në treg nuk e bindën opozitën për të votuar pro strategjisë privatizuese.
Deputetët e Aleancës Kosova e Re, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Dardanisë braktisën sallën e Kuvendit në momentin e miratimit të vendimit për privatizimin e PTK-së.
Në një konferencë për shtyp anëtarët e tre partive opozitare shpjeguan arsyet e bojktit të tyre. LDD akuzoi qeverinë se po tenton shitjen e pronave publike për të përmbushur interesat e grupeve brenda qeverisë, ndërsa AAK u shpreh se privatizimi po kryhet pa bërë bilancet e përfitimit apo të humbjeve që përfiton shteti nga ky proçes. Ndërkaq AKR u shpreh se nuk është kundër privatizimit, por kërkon më shumë transparencënga qeveria rreth tij.
Pavarësisht bojkotit të opozitës, kryeministri Thaçi paraqiti propozimin për privatizimin e PTK-së, propozim ky që u miratua me 61 vota në votimin e parë. Qeveria shprehet se synon privatizimin e 75 përqind të aksioneve të kompanisë.
Top Channel