Xavier Bout de Marnhac është emri i ri që do të drejtojë EULEX-in në Kosovë, duke zëvendësuar shefin e deritanishëm të këtij misioni, Yves de Kermabon.

Komiteti i Politikave dhe Sigurisë në Bashkimin Europian mori këtë vendim në mbrëmje, në respektim të rekomandimit të bërë nga Përfaqësuesja e Lartë Ashton, e cila vlerësoi përmes një komunikate për shtyp se “eksperienca e Marnhac në menaxhimin e krizave, por dhe njohja e terrenit do të shërbejnë për sfidat e vitit të ardhshëm të misionit EULEX”.

59 vjeçari francez, Xavier Bout de Marnhac është gjeneral ushtarak në pension sipas titullit. Studimet e larta i ka kryer në vendlindje dhe SHBA. Ai ka sherbyer si komandant në misionet ushtarake në Afrikë, Azinë Qendrore, Lindjen e Mesme e Ballkan.

Në 2008 Marnhac ka qënë dhe Komandant i forcave të NATO-s në Kosovë dhe tashmë rikthehet në Prishtinë me detyrën e re më 15 tetor 2010 për të drejtuar misionin e BE-së për zbatimin e ligjit. Mandati i tij zgjat një vit, por mund të përsëritet.

Top Channel