Në mbi 400 ka shkuar numri i të burgosurve në burgun e Trikalës të cilët janë futur tashmë në një grevë urie, midis tyre edhe shumë të burgosur shqiptarë.

Ata kryesisht protestojnë për sigurimin e disa të drejtave të cilat i quajnë jetësore  siç janë, e drejta për të pasur ujë, për arsye se ndërpritet në më të shumtën e ditës, në mes të vapës së padurueshme të verës, e  drejta e kujdesit mjekësor, i cili sipas tyre ushtrohet nën një sistem terrori dhe dhune, si dhe e drejta e lejes vjetore që duhet të marrin pas përmbushjes se një të pestës së dënimit.

Të burgosurit akuzojnë drejtuesit dhe gardianët e burgut se lejet vjetore jepen në bazë të njohjes dhe të ryshfeteve dhe jo në bazë të së drejtës që i takon secilit sipas rregullores.

Greva e urisë ka filluar në datën 7 korrik, nga një grup të burgosurish, por numri i tyre është rritur përgjatë javës së kaluar dhe sidomos dje në mbrëmje sipas mediave greke.

Nderkohe Iniciativa për të Drejtat e të Burgosurve kërkon nga Ministria e Drejtësisë greke që të marrë masat e duhura për plotësimin e kërkesave të të burgosurve.

Nuk është hera e parë që në burgjet greke zhvillohen greva të një forme të tillë. Para një viti e gjysëm pothuajse të gjithë të burgosurit në burgjet greke, mbi 12 mijë persona, zhvilluan një grevë masive urie për plotësimin e të drejtave të tyre.

Qeveria e re greke pas zgjedhjeve të tetorit të kaluar ka bërë disa reforma për përmirësimin e jetës në qeli, por përsëri duket se ngelet ende shumë për të bërë, në disa prej burgjeve të vendit, ku të dënuarit vuajnë heqjen e lirisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA