
Një pikturë që po qarkullon në internet dhe ku trupi i pajetë i Nelson Mandelës i nënshtrohet autopsisë ka ndezur debate politike në Afrikën e Jugut.
Partia në pushtet në këtë vend e dënoi pikturën duke e cilësuar atë si një vepër e cila dhunon dinjitetin e liderit historik të afrikano-jugorëve.
Piktura, e cila ndodhet në një galeri arti në Johanesburg tregon trupin e pajetë të Mandelas të rrethuar nga politikanët kryesorë në vend, të cilët paraqiten me bisturi në dorë duke i bërë autopsinë.
Por për autorin e saj, piktura mbetet domethënëse. Yuill Damaso shprehet se me pikturën e tij nuk ka dashur të shkelë dinjitetin e Mandelas, por të hapë sytë e afrikano-jugorëve për të përballuar vdekjen e mundshme të tij.
‘Nelson Mandela është një njeri i madh, por prapë është thjesht një njeri. Ne duhet të përballemi me vdekjen e Nelson Mandelas, si individë, si komb”, deklaron Damaso.
Top Channel