Një valë e re e rritjes së çmimeve ka përfshirë gjithë Greqinë pasi qeveria për herë të dytë brenda tre muajve, ka rritur koefiçientet e taksës së vlerës së shtuar nga 1 deri në 2%, për mijëra produkte të përditshme, artikuj ushqimorë, shërbime dhe çmime të pasurive të patundshme.

Gjithashtu për herë të parë i nënshtrohen sistemit të TVSH-së një sërë shërbimesh që deri tashmë nuk e paguanin si qendrat shëndetësore diagnostike private, noterët, avokatët si dhe shërbimi i taksive.

Ky zhvillim i ri në kuadrin e masave antikrizë që imponohet nga FMN-ja dhe BE-ja pas marrjes së ndihmës prej 110 miliardë eurosh, pritet të sjellë një rritje akoma më të madhe të inflacionit në vend deri në masën 6% nga 5.4% që ishte në muajin maj.

Sipas specialistëve të ekonomisë, kjo rritje çmimesh do të kushtojë në xhepat e konsumatorëve më shumë se 3 miliardë euro duke pasur parasysh faktin se do të paguajnë shumë më shtrenjtë  jo vetëm produktet e konsumit të përditshëm, por edhe faturat e shërbimeve telefonike, të energjisë elektrike, të ujësjellesit apo të karburanteve.

Sipas Shërbimit Europian të Statistikave, Greqia është vendi i parë midis 27 anëtarëve të BE-së që ka taksat më të larta për person, rreth 45%, kur në Eurozonë kjo shifër shkon deri në 42%. Brenda dekadës së fundit TVSH-ja është rritur në vend me 5%.

Ajo që shton edhe më shumë pakënaqësinë e qytetarëve është edhe shpallja e një mase akoma më të rreptë financiare siç është ajo e ngrirjes për të paktën 3 vjet të rrogave të sektorit privat që sjell një ulje prej gati 15% të të ardhurave dhe çon forcën e blerjes së konsumatorëvë në nivelet e 30 viteve më parë.

Sindikatat greke kanë paralajmëruar përsëri për greva të përgjitshme në javën e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA