
Eksplorimi i vendeve të reja dhe të veçanta shërben si mundësi e mirë për operatorët turistikë shqiptarë që të sigurojnë të ardhura të majme.
Rasti tipik është zhvillimi i kampionatit botëror në Afrikën e Jugut, ku përveç evenimentit, interes ka edhe për vendin që ndodhet në fund të botës.
Të dhënat nga agjencitë e udhëtimit dhe rezervimit të hoteleve flasin për një numër shqiptarësh që kanë prerë biletën drejt Afrikës së Jugut për të ndjekur botërorin dhe vizituar vendin që ndodhet me mijëra kilometra larg Shqipërisë.
“Është një numër i kufizuar prej rreth 50 vetash që janë lidhur me agjencitë turistike përmes paketave të ofruara në shuma të caktuara. Numri mund të rritet me afrimin e datave për ndeshjet e fazave të rëndësishme, kryesisht gjysmëfinale dhe finale”, tregon për “Shqip” Sadik Malaj, kryetar i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë. Sipas tij, paketat vërtiten te çmimi 3 mijë euro për 6 ditë qëndrimi, ku përfshihen disa shpenzime bazë, si bileta e avionit, ajo e ndeshjes, mëngjesi dhe darka.
Numri i shqiptarëve që kanë zgjedhur të ndjekin botërorin në Afrikën e Jugut mund të rritet me kalimin e ditëve, por Malaj vë në dukje edhe problemet që lidhet me kushtet e vizave. “Nëse do të kishim pasur një marrëveshje me shtetin afrikan, atëherë numri i turistëve shqiptarë do të ishte më i madh”, thotë kreu i Unionit të Operatorëve Turistikë.
Aktualisht, agjencitë turistike shqiptare janë lidhur me partnerë gjermanë, grekë dhe turq, të cilët ofrojnë paketa pushimesh për në Afrikën e Jugut. Nisja bëhet nga Tirana për në vendet ku është lidhur marrëveshja, e më tej udhëtohet drejt destinacionit final.
“Agjencitë tona nuk kanë kapacitete për të lidhur marrëveshje me homologet në Afrikën e Jugut, por po përpiqen të kontaktojnë me partnerët në Europë, të cilët vendosin edhe kushtet e udhëtimit sa i takon çmimit dhe shërbimit që ofrohet”, thotë Malaj. Sipas tij, problem përveç vizës është edhe gjetja e biletave për ndeshjet më interesante dhe ato të fazave finale, pasi tregu i tyre nuk është i qëndrueshëm, për shkak edhe të piraterisë.
Parashikohet që Botërorin Afrikë e Jugut 2010 ta ndjekin rreth 350 mijë tifozë nga afër, shifër kjo që për autoritetet e FIFA-s konsiderohet e suksesshme.
Zhvillimi i botërorit ka ndezur aktivitetin privat në disa sektorë, si bastet, publiciteti apo baret dhe pub-et. Mendohet se për një muaj gjatë zhvillimit të botërorit të xhirohen disa qindra milionë lekë, kjo edhe për shkak të basteve sportive.
“Nëse do të kishim pasur një marrëveshje me shtetin afrikan, atëherë numri i turistëve shqiptarë do të ishte më i madh”.
Top Channel