Pakistan, arrestohet gjuetari i Bin Laden

15/06/2010 13:00

Një shtetas amerikan, që deklaron se kishte si mision gjetjen dhe vrasjen e kryeterroristit Osama bin Laden, është arrestuar në veri të Pakistanit.

52 vjecari Gary Brooks Faulkner, nga Kalifornia, u ndalua në malet e rajonit të Citralit, në veri të Peshauarit.

Ai ishte i pajisur me një pistoletë, një kamë dhe një shpatë, si dhe mbante me vete libra të letërsisë kristiane.

Policia deklaroi se Faulkner u ndalua pranë kufirit me Afganistanin, konkretisht në provincën e Nuristanit, e njohur ndryshe si bastion i talebanëve.

Sipas burimit, 52 vjecari u tha hetuesve gjatë marrjes në pyetje se ai ishte në mision për të vrarë kreun e Al Kaedës.

“Ne fillimisht qeshëm kur ai na tha këtë, por më pas patëm dyshime pasi i sekuestruam pistoletën, shpatën dhe një pajisje me rreze infra të kuqe”, ka deklaruar një zëdhënës i policisë.

Top Channel