
Në 13 qershor Mandi dhe Elira do t’i premtojnë njëri-tjetrit dashuri të përjetshme. Pak para ditës së kurorzimit të lidhjes së tyre disavjeçare dy të rinjtë nuk kanë anashkaluar asnjë detaj.
Njëri prej tyre është prezantimi si dy kërcimtarë të shkëlqyer para dasmorëve të cilët do t’i kenë sytë të përqendruar tek ata të dy.
Ata janë në orët e fundit të provave para mbrëmjes që do t’i japë fund beqarisë.
“Dasma ishte një arsye që e nisëm shpejt kërcimin”, është shprehur Ilira.
“Çifti është objekti më me rëndësi dhe për atë i takon një kërcim dinjitoz”, thotë Mandi.
Mandi dhe Elira kanë katër muaj që derdhin djersë në këtë palestër. Çifti simpatik është shumë i përkushtuar pas vallëzimit. Ata nuk humbasin asnjë ore mësimi edhe pse ditët e tyre janë të mbushura jo vetëm me punë, por edhe me përgatitjet e dasmës.
“Mendoj se kërcimet latine dhe valset janë vetëm për të fituar pak pistë më shumë”, thotë Ilira.
E gjithë kjo sakrificë për t’i ofruar vetes kënaqësinë e të kërcyerit bukur është shpërblyer. Instruktorja e tyre Albana Sinanaj është e kënaqur me punën e çiftit.
Albana nuk është thjesht një instruktore. Pjesë e programit të saj janë edhe këshillat miqësore për dhëndrin dhe nusen.
Sot Mandi dhe Elira dinë të performojnë me hijeshi edhe vallëzime të ndërlikuara si Tango dhe kjo u ka shtuar atyre vetëbesimin se do të bëjnë një figurë të mirë në ditën e dasmës së tyre.
“Kemi mesuar valset që janë të nevojshme për t’u prezantuar bukur dhe këndshëm. Kemi mësuar kërcimet latine si salsa apo çaçaça”, thotë Mandi.
Në këtë pikë ata tashmë kanë vendosur edhe për performancën hapëse.
“Ne kemi një lidhje shumë të bukur afatgjatë dhe do kisha shumë dëshirë që atë ditë të kishte klas dhe për këtë kam vendosur për hapjen me një vals vienez”, thotë Ilira.
Sot ishte mbrëmja e vallëzimeve nën tingujt e muzikës së huaj, por në dasmën e tyre nuk do të mungojë vallja tradicionale në asnjë moment.
“Dua t’i kënaq edhe të tjerët dhe për më tepër vallja e nuses është tepër e bukur”, shprehet Ilira.
Dikur shkolla e baletit dhe mbrëmjet e vallëzimit ishin vendet e vetme ku mund të mësoje të kërceje. Sot ky proçes është kthyer në një biznes që u jep mundësinë të githëve për t’u ndjerë sadopak balerin.
“10 seanca nuk janë shumë, por të mjaftueshme. Mendoj se jemi kërcimdashës të mirë”, shpjegon Albana.
Ajo është instruktore e dancit sportiv prej 10 vitesh. Ajo thotë se nuk ka rëndësi që çiftet të jenë elegant apo të kenë veshë për muzikë, e rëndësishme është dëshira për të kënaqur veten dhe më pas të ftuarit në ditën më të bukur, të martesës.
Top Channel