Parlamenti i Zvicrës pritet të votojë së shpejti një ligj që synon të ndalojë fshehjen në këtë vend të parave të vjedhura nga diktatorët e vendeve të ndryshme të botës.
Qeveria e Zvicrës deklaroi se në rast se ligji miratohet, 4.6 milionë dollarë që besohet se i përkasin ish-diktatorit të Haitit, Jean Claude Duvalier, do të konfiskohen dhe do t’i jepen qeverisë së sotme të këtij vendi.
“Me një ligj të tillë nuk do të ndodhin më probleme siç është rasti i Duvalier”, deklaroi ministrja e Jashtme e Zvicrës Micheline Calmy-Rey.
Sipas saj, projekti ka mbështetjen e nevojshme dhe do të miratohet së shpejti.
Ligji do të ketë efekt edhe për paratë e diktatorëve që i kanë depozituar në Zvicër para hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Debati mbi këtë çështje u hap në vitin 1986, kur qeveria e Haitit kërkoi nga Zvicra 4.6 milionë dollarë që qenë depozituar nën emrin e ish-diktatorit.
Por qeveria zvicerane thotë se transferimi i parave është i mundur vetëm në rastet kur qeveritë e këtyre vendeve kanë kryer hetime mbi krimet e poseduesve të parave.
Diçka e tillë ka ndodhur rrallë në vendet me të shkuar diktatoriale ku amnisti të ndryshme, korrupsioni apo sisteme gjyqësore të dobëta kanë sjellë mospërndjekjen e diktatorëve.
Top Channel