“Rishfaqen” çetnikët në rrugët e Mitrovicës

28/04/2010 08:10

 Grupe të ndryshme ekstremiste serbe kanë intensifikuar praninë e tyre në veri të  Mitrovicës, si dhe në Lagjen e Boshnjakëve, lokalitetin e vetëm në atë pjesë të Mitrovicës me shumicë të banorëve shqiptarë dhe boshnjakë.

Lagjja, e cila gjatë viteve të fundit është njohur për qetësi dhe bashkëpunimin e shqiptarëve dhe serbëve në tregti, është mbuluar këto ditë nga mbishkrime (grafite) të shkruara nëpër mure, ku bëhet thirrje për vdekjen e shqiptarëve, kundërshtimin e zgjedhjeve të organizuara nga institucionet e Kosovës dhe vepra të tjera ekstremiste.

Banorë të lagjes kanë  rrëfyer se si grupe ultranacionalistësh janë parë duke parakaluar nëpër lagje me uniforma çetnikësh, ndërkaq, sipas tyre, të njëjtët individë edhe i kanë shkruar mbishkrimet. Përveç organizatave ultranacionaliste dhe të shpallura si ilegale edhe nga shteti serb “Obraz” (“Fytyra”), “Srpski Çetniçki Pokret” (“Lëvizja Çetnike Serbe”), në veri të Mitrovicës, kanë shtuar aktivitetin e tyre edhe grupe të tjera ekstremistësh, siç janë “Delije” (“Trimat”) dhe “Grobari” (“Varrmihësit”).

Javë më parë, Policia e Kosovës ka arrestuar tre të rinj, të cilët kanë deklaruar se janë pjesë e organizatës “Obraz”. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se provokimet janë të pritshme në prag të zgjedhjeve paralele që Serbia do t`i mbajë në veri të Mitrovicës, ndërkaq misioni i BE-së për sundimin e ligjit EULEX dhe Zyra Civile Ndërkombëtare nuk kanë dashur që të komentojnë funksionimin e grupeve radikale serbe në këtë pjesë të Kosovës. Përfaqësues të Lagjes së Boshnjakëve, për më shumë kanë emëruar edhe pjesëtarë të familjeve të përfaqësuesve politikë të serbëve në veri, të cilët janë pjesë e këtyre grupeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA