Përplasje Berluskoni-Fini para kamerave

23/04/2010 02:00

Pritej që herët a vonë përplasja mes kryetarit së Dhomës së Deputetëve Xhanfranko Fini dhe kryeministrit Silvio Berluskoni do të ndodhte.

Në mënyrë të tërthortë e pastaj më të hapur ish-lideri i partisë “Aleanca Kombëtare” pati kritikuar qëndrimin e partisë në pushtet në lidhje me çështjen e drejtësisë, me disa aspekte ekonomike dhe mbi politikat e qeverisë mbi fushën e emigracionit.

Por nuk parashikohej një përballje e tillë si ajo gjatë punimeve të kryesisë së “Popullit të Lirisë”, ku në sy të delegatëve, e mbi të gjitha përpara objektivave të telekamerave, Berluskoni dhe Fini arritën gati në një zënkë të vërtetë.

Kur kryeministri, duke folur nga podiumi paralajmëroi Xhanfranko Finin që të mos pengojë ecjen përpara të partisë dhe se nëse do të bëjë politikë aktive duhet të japë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Dhomës së Deputetëve, ky i fundit hovi në këmbë nga salla duke i thënë me zë të lartë: Përndryshë çdo më bësh? Do më përzësh?

Në ballafaqimin mes dy politikanëve, përveç fjalëve bënë përshtypje edhe gjestet të cilat në këtë rast nuk duan koment.

Gjatë fjalimit prej gati 60 minuta që mbajti më pas, Fini u shpreh se një prej aspekteve që nuk i pëlqen në qeverisjen e tanishme është politika mbi emigracionin. Ai kërkoi dinjitet për emigrantët më banim në Itali dhe për fëmijët e tyre, që nëpër shkolla nuk duhet të trajtohen si fëmijë të katëgorisë së dytë.

Fini e quajti herezi kërkesën që iu bëhet mjekëve për të denoncuar në polici emigrantët pa dokumenta që paraqiten në urgjencën e spitaleve. Ai i bëri thirrje Berluskonit që të mos ndjekë “Lidhjen e Veriut” në këtë fushë.

Top Channel