Tërhiqet LSI, pakt për fasonët

28/12/2013 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim u tërhoq nga amendamenti për të anuluar
rritjen e tatimit mbi fitimin për industrinë e fasonit nga 10 në 15 për
qind.

Petrit Vasili tha se ky vendim u mor, pasi Qeveria po harton një paketë më të plotë për mbështetjen e këtij sektori, e cila do paraqitet në mars.

“Mundësia e ardhjes së saj në Parlament dhe njëkohësisht ndjekja nga afër e saj, e bën të domosdoshme mbajtjen e pezullt të këtij propozimi në pritje të një pakete të tillë, për t’i konsideruar ato në mënyrën më të plotë dhe më serioze dhe për t’i dhënë kohë që edhe ky konsultim ta zgjidhë në mënyrë shterruese dhe jo pjesore këtë çështje, duke iu referuar një indeksi të vetëm siç është indeksi fiskal”, tha kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

“Kemi rënë dakord që brenda pranverës grupi parlamentar i Partisë Socialiste, i LSI-së, së bashku me Qeverinë të avancojnë një paketë të plotë masash jo thjesht fiskale, por administrative, proceduriale dhe strukturore për të mbështetur jo vetëm industrinë e fasonit që është nga burimet kryesore të punësimit, por edhe industritë dhe sektorët mbështetës të të gjithë kësaj sfere”, tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

Por vendimi i LSI-së ka shkaktuar reagimin e opozitës. Duke e quajtur këtë tërheqje si katastrofike, ish-kryeministri Berisha tha se ajo reflekton balancat e pushtetit mes maxhorancës.

“Tani del e qartë se Parlamenti nuk është më Meta-Rama, por është Rama-Meta, është diktati tiranik i ekzekutivit mbi këtë tempull që sjell një ndryshim katastrofal të pozicionit të LSI-së në raport me fasonët”, tha Berisha.

Një ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, LSI këmbënguli deri në fund për të ndalur rritjen e tatimit mbi fitimin në industrine e fasonit. Por kjo nuk u pranua nga Qeveria për shkak të efektit të madh në buxhet. Ndërkohë gjatë seancës së sotme, burime pranë LSI njoftuan se ka patur një takim mes kryetarit të grupit parlamentar të kësaj force, Petrit Vasili, atij të PS, Gramoz Ruçi dhe dy ministrave Cani e Ahmetaj për të negociuar paketën e posaçme për fasonin, ku sipas tyre do të ketë jo vetëm lehtësira fiskale, por edhe administrative.

Top Channel