Uzina ushtarake e Mjekësit

08/11/2013 00:00

Uzina e Mjekësit në Elbasan është vendi i shumëpërfolur ku mund të përfundojnë për t’u trajtuar armët kimike siriane.

Kjo uzinë, e cila është ndërtuar në vitin 1962 për prodhimin e lëndëve plasëse, realizoi me sukses një projekt të financuar nga programi i inicuar nga senatorët Nun e Lugar, armët kimike shqiptare të cilat ishin prodhim kinez.

Uzina e Mjekësit ndodhet shumë afër qytetit të Elbasanit dhe rreth 50 kilometra larg Tiranës. Në të janë 6 uzina më të vogla, të cilat aktualisht merren me prodhimin e lëndëve plasëse, kryesisht dinamit që përdoret edhe për minierat.

Prodhimet e saj eksportohen edhe në Kosovë, ndërkohë që linja e prodhimit është edhe më e gjerë se kaq. Uzina e ndërtuar në vitin ‘62, në vitin ‘82 mori liçensën ‘Bofros’ për prodhimin e eksplozivëve me forcë të madhe.

Pas mbylljes së programit për shkatërrimin e lëndëve kimike luftarake, uzina u përdor për demilitarizimin e rreth 1.3 milion minave anti-njeri që ka ushtria shqiptare, por edhe të predhave të mortajave dhe municioneve të tjera të tepërta të ushtrisë.

Në fillim u ndërtua në një zonë pothuajse të pabanuar dhe uzina ishte një sekret më vete, por pas viteve ‘90 rreth saj janë një numër i konsiderueshëm banesash të ndërtuara nga personat që janë kthyer pranë tokave që kanë patur dikur.

Aktualisht në uzinë vijon puna vetëm për prodhimin e eksplozivëve, ndërsa janë ende në gjendje pune edhe impiantet që janë përdorur për shkatërrimin e mbushjeve eksplozive të minave dhe predhave të artilierisë së rëndë.

Ndërkohë që armët kimike shqiptare janë shkatërruar me ekspertizë amerikane, si në personel ashtu edhe në mbështetje me fonde. Nëse do jetë Mjekësi vendi i shkatërrimit të dhjetëra ton armësh kimike siriane, kjo ende nuk dihet.

Por Mjekësi është i vetmi impiant ushtarak që ka një përvojë në shkatërrimin e këtyre lëndëve dhe personel që ka marrë pjesë në projektet e mëparshme.

Top Channel