Assad: Obama dhe Hollande, të paaftë

02/09/2013 21:20

“Kemi sfiduar Shtetet e Bashkuara dhe Francën që të nxjerrin qoftë edhe një provë të vetme. Por Obama dhe Hollande kanë qenë të paaftë, edhe përpara popujve të tyre”.

Kështu ka deklaruar presidenti sirian Bashar al Assad, duke folur ekskluzivisht për të përditshmen franceze “Le Figaro”, në lidhje me akuzat për sulm me armë kimike të bëra ndaj regjimit të tij.

“Lindja e Mesme është kthyer në pluhur dhe nëse do të ketë bombardime ndaj Sirisë, atëherë ekziston rreziku për një luftë rajonale”, ka vijuar më tej Assad.

Ai ka theksuar se nuk mjafton të flitet vetëm për përgjigjen siriane, por edhe për atë që mund të ndodhë pas bombardimit të parë nga ana e Perëndimit.

“Për momentin, askush s’e di se çfarë do të ndodhë. Të gjithë do të humbin kontrollin e situatës kur pluhuri të ngrihet. Kaosi dhe ekstremizmi do të përhapen. Pra, ekziston rreziku i një lufte rajonale”, ka nënvizuar Assad.

“Kushdo që operon kundër interesave të Sirisë dhe qytetarëve të saj është një armik”, ka qenë një tjetër mesazh i presidentit sirian gjatë intervistës.

“Populli francez nuk është armiku ynë, por politika e ndjekur nga shteti i tyre është armiqësore kundrejt popullit sirian. Në këtë situatë, shteti francez do të jetë një armik”, ka thënë Assad.

Sipas tij, “kjo armiqësi do të marrë fund kur shteti francez të ndryshojë politikë. Do të ketë reaksione, natyrisht negative, ndaj interesave të Francës”.

Akuzat e shteteve të Perëndimit ndaj Damaskut se ka kryer një sulm me armë kimike ndaj popullsisë siriane Assad i cilëson si “jo logjike”.

“Supozojmë se ushtria jonë do të përdorë armë të shkatërrimit në masë, a është logjike që ta bëjë këtë në një zonë ku ndodhet vetë ajo dhe ku ushtarët janë plagosur nga armë të tilla, sikurse thanë inspektorët e OKB-së që vizituan spitalin ku janë shtruar? Ku është logjika këtu?”, ka shtuar Assad.

Top Channel