Arabia Saudite përballet me mungesë xhelatësh

11/03/2013 17:20

Arabia Saudite mund të ndërpresë ekzekutimet publike me prerje koke, jo për shkak të një vendimi për të hequr dorë nga kjo praktikë mesjetare e vënies drejtësi, por nga mungesa e xhelatëve në mbretërinë e pasur me naftë.

Një komision i përbashkët me përfaqësues nga Ministria e Brendshme saudite, e Drejtësisë dhe Shëndetësisë, i propozoi autoriteteve të hënën që këto ekzekutime të zëvendësohen pjesërisht me skuadra pushkatimi.

Në këndvështrimin e komitetit, ky ndryshim nuk do të shkelë ligjin islamik, “Sheriatin”, në bazë të të cilëve kryhen këto ekzekutime.

Një vit më parë, në Arabinë Saudite, 76 persona u ekzekutuan me prerje koke me shpatë, në ekzekutime që zhvillohen në publik. Ky lloj ekzekutimi, së bashku me gurëzimin në rastet e krimeve morale, janë dy format e realizimit te denimit me vdekje ne vend.

Në raportin e komisionit, shkruhej se mungesa e xhelatëve i detyrohet pjesërisht stresit psikologjik të kësaj lloj pune, vështirësisë së saj dhe natyrës specifike të trajnimit për të cilën personi përgjegjës për ekzekutimin duhet t’i nënshtrohet.

Megjithatë, në bazë të propozimit, ekzekutimi me prerje koke në publik do të vazhdojë të jetë i preferuari, por guvernatorëve të 13 krahinave të ndryshme të vendit do t’u ofrohet mundësia e zgjedhjes së pushkatimit në rastet e pamundësisë.

Këto ekzekutime publike, pavarësisht mizorisë së tyre, konsiderohen një mënyrë efikase e parandalimit të krimit në Arabinë Saudite. Në bazë të ligjit islamik, të dënueshme me vdekje janë veprat penale si vrasja, përdhunimi, blasfemia, grabitja e armatosur, tradhëtia bashkëshortore, tradhëtia ndaj mbretit dhe trafiku i drogës.

Top Channel