Irani ka hedhur sërish poshtë pretendimet e Perëndimit dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se synon që me programin e tij bërthamor të prodhojë bombën atomike.
Lideri Suprem, Ajatollahu Ali Khamenei hapi punimet e samitit 2-ditor që mbahet në Teheran e ku marrin pjesë përfaqësues nga 50 vende të botës. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara për propagandë dhe keqinformim të opinionin botëror.
“Republika Islamike e Iranit nuk synon dhe kurrë nuk do të synojë prodhimin e armëve bërthamore”, deklaroi Khamenei, por duke shtuar se Irani nuk do të heqë dorë nga objektivi për shfrytëzimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore.
Në qendër të punimeve të samitit pritet të jetë edhe situata në Siri dhe të drejtat e njeriut. Në ditën e parë u kritikuan sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe OKB-së ndaj Republikës Islamike.
Samiti mbahet në kuadër të “Lëvizjes së vendeve neutrale”, lëvizje e krijuar në vitin 1961 si kundërbalancë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik gjatë viteve të Luftës së Ftohtë.
Top Channel