Rusia: Veto kundër rezolutës ndaj Sirisë

30/01/2012 00:00

Rusia lajmëroi se do të vendosë veton kundër rezolutës së paraqitur në Këshillin e Sigurimit në OKB, pasi Moska vlerësoi se mënyra se si është hartuar dokumenti e lë të hapur mundësinë e një ndërhyrje ushtarake.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Franca lobuan në emër të Ligës Arabe, e cila paraqiti një dokument ku kërkohej dorëheqja e menjëhershme e presidentit Bashar al-Assad.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, Assad ka humbur kontrollin mbi Sirinë dhe duhet të largohet. Megjithatë, Rusia u shpreh se “konstatoi një nismë të pabalancuar dhe joobjektive”, prandaj është e vendosur që të bllokojë kalimin e rezolutës.

“Kjo projekt-rezolutë, pa dyshim që nuk mund të mbështetetnga ne”, u shpreh Zvs/Ministri i Punëve të Jashtëm, Gennady Gatilov.

“Kërkesat drejtuar Sirisë janë të paarsyeshme dhe hyjnë në punët e brendshme të këtij shteti. Gjithashtu, nuk do të mbështesim asnjë projekt që lë të hapur mundësinë për ndërhyrje ushtarake mbi cilindo vend”.

Më parë, Shtëpia e Bardhë ishte shprehur në favor të një zgjidhjeje politike të situatës së rënduar në Siri. Franca vuri në dukje se dhjetë nga 15 vendet e Këshillit të Sigurimit tashmë mbështesin rezolutën e paraqitur nga Liga Arabe, mjaftueshëm për të paraqitur rezolutën për miratim.

Megjithatë, Rusia është një prej pesë antarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe ka në dorë të bllokojë çdo nismë me të drejtën e saj për veto.

Në një tentativë për të ndryshuar qëndrimin e Rusisë, Kryeministri i Britanisë, David Cameron, u shpreh se: “Tashmë Moska nuk mund të shpjegojë me asnjë arsye bllokimin e OKB-së në tentativë e saj për të dënuar regjimin brutal dhe represionin që po ndodh në Siri”.

Opozita: Jo bisedime me Assad-in

Opozita siriane ka hedhur poshtë cdo mundësi për t’u ulur në bisedime me autoritetet e presidentit Bashar al Assad.

Këshilli Kombëtar Sirian, autoriteti opozitar i formuar nga opozita dhe dezertorët e ushtrisë, deklaroi se nuk ka marrë asnjë ftesë ndërmjetësuese nga Moska për t’u ulur në bisedime me Assad-in, por shtoi se edhe nëse kjo gjë do të ndodhë, nuk do ta pranojë kurrë.

“Nuk kemi marrë asnjë ftesë, por edhe nëse ftesa do të mbërrinte, besoj do të ishte thjesht formale për të ndikuar në punimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ne nuk duam bisedime me Assad-in”, deklaroi Abdel Baset Seda, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të KKS-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA