Nga Berlini ku u takua me presidentin francez Nikolas Sarkozi, kancelarja gjermane Angela Merkel e riktheu vëmendjen tek Greqia me apelin për arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje me mbajtësit e obligacioneve greke.
Një dorëzani e dytë është jetike për Athinën, argumentoi Merkel, duke shtuar se nga vendi helen kërkohet përmbushja e detyrimeve për kapërcimin e krizës së borxheve.
“Paketa e dytë e ndihmës për Greqinë, përfshirë ristrukturimin e borxhit, duhet të realizohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Përndryshe, ky vend nuk do të jetë në gjendje të kryejë detyrimin e radhës”, tha Merkel.
Kusht për këtë është që qeveria e Athinës të realizojë premtimet e bëra.
Njëkohësisht duhen bërë një shtyrje vullnetare të borxheve. Pa plotësimin e këtyre dy pikave nuk do të derdhet as edhe nje euro për Athinen. Greqisë i nevojitet një paketë e dytë shpëtimi nga FMN dhe Bashkimi Europian në mënyrë që të shmangë mosaftësimin për pagesën e borxheve dhe përjashtimin e mundshëm nga eurozona.
Paketa prej 130 miliardë eurosh përfshin edhe ristrukturimin vullnetar të borxhit grek, që do të thotë se mbajtësit e obligacioneve të këtij vendi duhet të fshijnë 50% të vlerës së tyre, me vlerë greke.
Merkel e quajti Greqinë “një rast të vecantë“, duke insistuar njëkohësisht se asnjë shtet nuk duhet përjashtuar nga zona e euros.
Komentet e saj, kancelarja i bëri gjatë një konference të përbashket shtypi me presidentin francez, Sarkozi, të fokusuar tek kriza e zonës së monedhës unike.
Shefi i Elizesë e cilësoi situatën në eurozonë si “tejet të tensionuar“. Ai iu referua edhe traktatit të ri ndërqeveritar me të cilin kanë rënë dakord në parim 26 anëtarë të bllokut, por është refuzuar nga Britania. Sarkozi e bëri të qartë se dëshira është që negociatat të përfundojnë sa më shpejt, në mënyrë që traktati të firmoset në 1 mars.
Top Channel