Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka shprehur shqetësimin se zhvillimet në Veri të Kosovës mund të destabilizojnë tërë Ballkanin.

Në raportin e tij tremujor, i raportuar nga mediat kosovare që u është dërguar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, përshkruhen në mënyrë kronologjike ngjarjet në veri të Mitrovicës. Një pjesë të konsiderueshme të raportit, shefi i OKB-së ia ka kushtuar edhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Raporti përmban edhe një aneks në të cilin pasqyrohet aktiviteti i EULEX-it gjatë muajve të fundit.

“Zhvillimet në Kosovën veriore shërbejnë për të kujtuar edhe një herë se çështjet e pazgjidhura përbëjnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, shkruan Sekretari ki-Moon. “Jam i brengosur jo vetëm për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në terren, si rezultat i zhvillimeve të fundit, por gjithashtu edhe për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike anembanë Kosovës, polarizimin e qëndrimeve politike, si dhe zgjerimin e hendekut mes komuniteteve në veri dhe në jug të lumit Ibër”.

Përsa kohë mbetet e pazgjidhur situata në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, në të njëjtën kohë që bashkësia ndërkombëtare qaset në forma të ndryshme ndaj pavarësisë së Kosovës, “do të vazhdojë të jetë i lartë rreziku i përshkallëzimit dhe degradimit të situatës”, vlerëson kreu i OKB-së.

Ki-Moon shpreh keqardhje që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është bllokuar, prandaj rithekson domosdoshmërinë e rifillimit të kontakteve midis Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Në raport flitet edhe për sulmin e demonstruesve serbë në Jarinjë, ku janë lënduar 9 ushtarë të KFOR-it “dhe dhjetëra serbë”. Shefi i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen është përgjigjur se KFOR-i ka vepruar në përputhje me mandatin që ka dhe nuk ka nevojë për hetime”, përfundonte raporti.

Top Channel