Jashtë cdo lloj kontrolli ka qenë për disa orë gjendja në qendër të kryeqytetit grekAthinë pasi protestat e sindikatave të sektorit shtetëror dhe atij privat kanë degjeneruar në konfrontime me forcat e policisë.

Forcat speciale kanë përdorur dhunën në përpjekje për të shpërndarë demostruesit dhe të rinjtë anarkistë që janë shfaqur përsëri me maska në qendër të qytetit dhe që kanë hedhur gurë kundrejt tyre.

Shumë media të huaja kanë publikuar edhe fotografi të cilat tregojnë dhunen e ushtruar edhe mbi dy gazetarë, një greke dhe një franceze.

Sheshi para parlamentit është kthyer edhe njëherë në shesh lufte nga bombat molotov dhe përdorimi i lëndëve kimike. Si pasojë e atmosferës mbytëse janë larguar edhe trupat special të gardës me veshjet tradicionale që ruajnë statujen e “Ushtarit të Panjohur” para parlamentit.

Dhjetë persona janë arrestuar dhe pesë të tjerë janë shoqëruar në rajonet e policisë, ndërsa ka pasur dhe të plagosur.

Mbi 17000 vetë kanë protestuar në Athinë dhe mijëra të tjerë në Selanik në kuadrin e grevës së përgjithshme 24 orëshe të sindikatave të sektorit publik dhe atij privat të cilat protestojnë ndaj masave të rrepta financiare.

Është greva e 11-të e përgjithshme brenda këtij viti dhe e para prej vendimeve të qeverisë Papandreu për futjen në sistemin e personelit rezervë për një vit dhe më pas të pushimit nga puna të 30000 nënpunësve shtetërore si dhe të vendosjes se taksave mbi pronat dhe pasurinë e paluajtshme.

Peëvec administratës publike, në grevë kanë marrë pjesë edhe mësuesit si dhe nënpunësit e bankave. Mjetet e shërbimit urban kanë ndaluar  punën për disa orë, spitalet kanë punuar me personel sigurie, janë pezulluar ose shtyrë fluturimet ajrore, probleme ka pasur në porte me transportimin e mallrave.

Sindikatat në vend protestojnë për masat pa mbarim që kërkojnë specialistët e Trojkës në Athine, akoma edhe për vitet 2013 dhe 2014, ndërsa ministrat e Eurozonës kanë shtyrë vendimin për dhënien e këstit të 6 të ndihmës, për muajin nëntor.

Por pavarësisht zemërimit popullor qeveria greke shprehet e vendosur për zbatimin e masave me synim reduktimin e borxhit dhe deficitit shtetëror.

Top Channel