Prej ditësh zjarrfikësit amerikanë janë vënë në garë me kohën për të fituar betejën me zjarret në Kaliforni.
Zona, veçanërisht pranë Los Anxhelesit është përfshirë nga disa vatra zjarresh e njëri prej tyre edhe në lagjen luksoze Beverly Hills.
Përmasat dhe dëmi i shkaktuar deri më tani nga flakët është i pallogaritshëm dhe gjurmët e tyre shihen deri në hapësirë.
Me mijëra zjarrfikës janë angazhuar në betejën deri tani të humbur ndaj flakëve, që kanë shkrumbuar më shumë se 40 mijë hektarë pa u ndalur aspak.
Lagështira nën 10% dhe erërat e forta janë faktorët pas “sprintit” të flakëve, që tashmë kanë mbërritur në zonat e banuara dhe kanë djegur me dhjetëra shtëpi e biznese.
Me dhjetëra mijëra njerëz janë evakuuar, ndërsa me qindra shkolla do të qëndrojnë mbyllur deri javën e ardhshme.
Autoritetet dhanë paralajmërime edhe për zonat që nuk janë prekur nga zjarret, pasi tymi i denduar ka mbuluar sipërfaqe shumë më të mëdha sesa flakët. Mediet amerikane raportojnë se tymi i zjarreve mund të shihet edhe nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar në orbitën e Tokës.
Top Channel