Komisioni qendror i zgjedhjeve në Maqedoni publikoi rezultatet e para të zgjedhjeve rajonale të së dielës nga të cilat rezulton se LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev ka fituar në 17 komuna, BDI në gjashtë, Aleanca për Shqiptarët në tre, Lëvizja Besa në një, PDSH-ja në një dhe VMRO-DPMNE-ja në dy.

Mbeten ende për t’u numëruar votat në kater prej 35 komunave ku u votua në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, shpalli fitoren në pjesën dërrmuese të komunave me shumicë shqiptare në Maqedoni.

Sipas tij, BDI-ja ka triumfuar mes të tjerash në Tetovë, Strugë, Çair, Dibër, Saraj, Pllasnicë dhe Kërçovë. Sa i përket komunës së Gostivarit, Ahmeti tha se janë në pritje të rezultateve finale, por njëkohësisht la të kuptohej se po përgatiten për humbjen e kësaj komune, ku kandidati i partisë së tij Nevzat Bejta garonte me Arben Taravarin e Aleancës për Shqiptarët.

I hidhur ishte reagimi i kreut të lëvizjes BESA, Bilall Kasami i cili deklaroi se BDI-ja u shndërrua në degë të LSDM-së, dhe se socialdemokratët e Zoran Zaevit janë bërë tani sovrane të shumicës së shqiptarëve.

“Nuk ka më BDI, por ka një degë më shumë të LSDM-së. U bashkua Zaevi e Boshkovsi për t’ia siguruar fitoren BDI-së”, u shpreh Kasami që kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Shqetësimi i Zaevi nga ana tjetër ishte VMRO-DPME-ja. Ai kërkoi nga partia e Nikolla Gruevskit që të mos hapë probleme, por të njohe rezultatin e zgjedhjeve.

“Shpresoj se do të keni fuqi të silleni si subjekt i përgjegjshëm politik e do të përfshiheni e të jepni kontribut konstruktiv për reformat. I bëj apel lidershipit të VMRO-DPME-së të vendosë në plan të parë interesat e qytetarëve.

Sa per koalicionin e Ziadin Selës së Aleancës për Shqiptarët me Besën, Zaev tha se qëndrimi i LSDM-së nuk ndryshon dhe se pozicionin e tyre e kanë paraqitur përpara zgjedhjeve. “Kjo ishte zgjedhja e Selës,- u shpreh ai -Ne jemi këtu të punojmë në interes të të gjithë qytetarëve pa dallime politike. Aleanca për Shqiptarët dhe Besa shpallën fitoren në katër komuna, përfshirë Gostivarin.

LSDM-ja deklaroi se ka fituar thuajse në të gjitha zonat ku garuan kandidatet e saj, ndërsa Gruevski tha se nuk i njeh zgjedhjet vendore te cilat i quajti te falsifikuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA