Trafikanti, me dy emra. Gjergj Cukalit i zbulohet identiteti Ergi Hoxha

13/07/2016 00:00

Zbulohet identiteti i dyfishtë që përdorte Gjergji Cukali, i njohur si “i forti i Myslym Shyrit”, i cili u vu në pranga dy ditë më parë, si kreu i një rrjeti të shpërndarjes së kokainës në kryeqytet. Top Chanel ka siguruar dokumentet e falsifikuara me identitetin Ergi Hoxha.

Pasaporta biometrike, karta e identitetit dhe patenta me të njëjtin emër, tashmë janë sekuestruar nga policia, e cila ndaj Cukalit ka ngritur edhe akuzën e falsifikimit të dokumenteve.

Ky i fundit ka qenë i dënuar më parë për pengmarrje dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa policia po heton edhe mënyrën sesi Cukali ka arritur të sigurojë këto dokumente të falsifikuara me identitetin Ergi Hoxha, i datëlindjes 1979, lëshuar në vitin 2012 dhe në 2013-n.

37-vjeçari është mbajtur nën vëzhgim për disa muaj nga Policia e Tiranës, e cila ka arritur të dokumentojë aktivitetin kriminal të tij. Cukali dyshohet se e siguronte kokainën në Holandë përmes dy ndërmjetësve kosovarë, për ta shpërndarë më pas në doza njëgramëshe në zonat e njohura të kryeqytetit.

Të ardhurat e përfituara, që arrin deri në 50 mijë euro në muaj, faktohen edhe nga një fletore që iu gjet Vjollca Gjokës, 46-vjeçares së arrestuar, e cila mbante shënim shitjen e çdo doze kokaine. Droga që posedonte grupi i Cukalit konsiderohej si e cilësisë së lartë dhe 1 gramë e saj shtitej nga 8 deri në 10 mijë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA