Presidenti Meta kthen ligjin “Për karrierën ushtarake në FA”: Dekurajon arsimimin e të rinjve, nxit idenë e gabuar se gjen punë dhe “pa shkollë”

26/02/2021 17:03
Presidenti Ilir Meta

Presidenti Ilir Meta ka kthyer ligjin “Për karrierën ushtarake në FA”, ku sipas tij dekurajon arsimimin e të rinjve dhe nxit idenë e gabuar se gjen punë dhe “pa shkollë”.

Sipas presidentit me përmirësimin e këtij ligji synohet rritja e meritokracisë, barazisë dhe efektivitetit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si disa nga shtyllat kryesore në të cilat mbështetet kjo forcë.

Ai thekson se ky projektligj do të garantojë përmirësimin e funksionimit të Forcave të Armatosura, në aspekte të rëndësishme të karrierës ushtarake, siç janë: rekrutimi, koha e qëndrimit në secilën gradë, mosha maksimale të shërbimit për çdo gradë, specialitetet dhe arsimimi i detyrueshëm.

 DEKRETI

PËR KTHIMIN E LIGJIT NR. 15/2021 “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR. 59/2014 “PËR KARRIERËN USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 85, pika 1 dhe të nenit 93 të Kushtetutës,

D e k r e t o j:

Kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit nr. 15/2021 Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Nr. Dekretit 11981

Tiranë, më 26.02.2021

Arsyet e kthimit të ligjit nr.15-2021

Top Channel