Çavusoglu shkoi në Bruksel të mërkurën në mbrëmje për një vizitë dyditore për bisedime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, njëherësh zv/president i Komisionit Evropian, Cavusoglu tha: “Është shumë e rëndësishme të krijohet një atmosferë pozitive, por që ajo agjendë të jetë e qëndrueshme ne kemi nevojë për hapa konkrete nga të dyja palët.”

Duke shtuar se 2020-a ishte një vit problematik për marrëdhëniet Turqi-BE, Cavusoglu tha se të dyja palët treguan vullnetin e tyre për një atmosferë më pozitive pas deklaratës së përbashkët të lëshuar pas samitit të udhëheqësve të BE-së në dhjetor.

“Që atëherë të dyja palët kanë shprehur vullnetin e tyre në mënyrë që të krijojnë një atmosferë pozitive për zhvillimet e marrëdhënieve ndërmjet dy palëve”, saktësoi kryediplomati turk.

Çavusoglu tha se ai dhe homologu i tij evropian, Borrell, do të diskutojnë një gamë të gjerë çështjesh në lidhje me marrëdhëniet BE-Turqi përpara takimit të planifikuar të Presidentit Recep Tayyip Erdogan me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Ne do të flasim për marrëveshjen e emigracionit që Turqia ka propozuar tashmë për rinovimin. Ne gjithashtu do të flasim për detajet e një konference shumëpalëshe mbi situatën në Mesdheun Lindor”, u tha ai gazetarëve.

Siç u shpreh ministri Çavusoglu, disa çështje të tjera si liberalizimi i vizave, azhurnimi i Unionit Doganor të Turqisë me BE-në (1995) dhe “hapa të tjera konkrete që do të ndërtojnë të ardhmen e Unionit dhe Turqisë së bashku” do të jenë gjithashtu në rendin e ditës.

Zyrtarët turq dhe të BE-së do të diskutojnë gjithashtu zhvillimin e zgjidhjeve të përbashkëta për sfidat e tjera rajonale.

Borrell tha në të njëjtën konferencë shtypi që pavarësisht se viti i fundit ishte i ndërlikuar për marrëdhëniet BE-Turqi, viti 2021 tashmë ka parë një përmirësim dhe disa hapa të rëndësishme.

“Ky takim sot është gjithashtu një hap i rëndësishëm në drejtim të kërkimit të interesit të ndërsjellë strategjik”, shtoi ai.

Duke e përshkruar njoftimin e bisedimeve eksploruese ndërmjet Turqisë dhe Greqisë si “një hap tjetër të mirë”, Borrell theksoi se “objektivat dhe njoftimet duhet të përkthehen në veprime”.

Shefi i diplomacisë evropiane vuri në pah se një hap tjetër i rëndësishëm ishin përpjekjet e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, për rifillimin e bisedimeve ndërmjet udhëheqësve turkoqipriotë dhe grekoqipriotë.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të mbështetur një rifillim të shpejtë të këtyre negociatave dhe dëshirojmë fuqimisht të shohim një çtensionim të qëndrueshëm në Mesdheun Lindor”, tha ai.

Duke shtuar se të dyja palët janë të angazhuara në një dialog thelbësor mbi çështjet rajonale, Borrell tha se bisedimet e tyre do të përfshijnë gjithashtu diskutime mbi zhvillimet e fundit në Libi, Siri dhe Karabakun Malor.

Pasi e përshkroi Turqinë kandidate për anëtarësim në BE si një partner të rëndësishëm dhe fqinj të bllokut 27-anëtarësh, kryediplomati evropian vijoi me këto fjalë: “Ne do të flasim gjithashtu për situatën politike në Turqi, me respekt të plotë për njëri-tjetrin dhe në një mënyrë të sinqertë e të hapur.”

Top Channel