Rrëzimi i helikopterit amerikan në Ngushticën e Hormuzit, Trump akuzon Iranin dhe kërcënon: SHBA do t’i përgjigjet këtij sulmi
Dy anëtarë të ekuipazhit të një helikopteri ushtarak amerikan u shpëtuan pasi mjeti i tyre u rrëzua pranë Ngushticës së Hormuzit të hënën, njoftuan zyrtarët amerikanë.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), helikopteri tip AH-64 Apache u rrëzua pranë brigjeve të Omanit ndërsa po kryente një mision patrullimi në zonë.
Dy pilotët u lokalizuan dhe u nxorën në siguri rreth dy orë pas incidentit. Zyrtarët amerikanë konfirmuan se të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Operacioni i shpëtimit u realizua me ndihmën e një droni detar amerikan. Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje mbi llojin e saktë të mjetit pa pilot të përdorur në operacion. Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga ABC News, droni kishte një dizajn të ngjashëm me një motoskaf.
Ndërkohë, shkaqet e rrëzimit të helikopterit mbeten ende të paqarta. Autoritetet ushtarake amerikane kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat që çuan në incidentin pranë një prej korridoreve detare më të rëndësishme në botë.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë strategjike për transportin ndërkombëtar të energjisë dhe monitorohet vazhdimisht nga forcat ushtarake të vendeve të ndryshme.
Top Channel