Aksioni policor në Vlorë, Lamallari: Lufta kundër krimit të organizuar, betejë pa kompromis për ne

09/06/2026 11:31

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar pas operacionit të suksesshëm të Policisë së Shtetit ku u godit me sukses të një grupi kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore në Vlorë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Grupi”.

Ministri vlerësoi si shumë të rëndësishëm arrestimin e personave në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, kapjen e autorit të plagosjes së rëndë të ndodhur pak ditë më parë, si dhe sekuestrimin e armëve të zjarrit, mjeteve të blinduara dhe provave të tjera kriminale.

“Këto rezultate janë dëshmi e profesionalizmit, vendosmërisë dhe angazhimit të strukturave tona ligjzbatuese në luftën kundër krimit të organizuar”, u shpreh ministri Lamallari.

Duke theksuar qëndrimin e palëkundur të institucioneve ndaj kriminalitetit, ai shtoi se “lufta jonë kundër krimit të organizuar është një betejë pa kompromis. Kushdo që mendon se mund të sfidojë ligjin, të cenojë sigurinë publike apo të ngrejë dorë mbi rendin dhe qetësinë e qytetarëve, do të përballet me forcën e shtetit dhe drejtësisë.”

Ministri Lamallari shprehu mirënjohje për çdo efektiv policie që shërben me përkushtim dhe kurajë, duke theksuar se ata kanë mbështetjen e plotë dhe të palëkundur të institucioneve.

Operacioni “Grupi” u finalizua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë dhe nën drejtimin e Prokurorisë, duke çuar në goditjen e një grupi kriminal që vepronte në Vlorë dhe Fier, si dhe në kapjen e disa personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Top Channel