Përçarjet te kupola drejtuese e Milanit, goli i Saelemaekers zbuloi prapaskenat dhe płanin e vërtetë të pronarëve kuqezinj

27/05/2026 12:03

Goli i shënuar pas vetëm 2 minutash lojë nga Saelemaekers, kualifikimi në Ligën e Kampioneve që ishte vetëm 1 hap larg(mjaftonte edhe një barazim) dhe një reagim në tribunë i drejtuesve të klubit që të bën të reflektosh dhe që flet më shumë se 1 mijë fjalë

Ajo që ndodhi në San Siro gjatë ndeshjes së fundit të Serie A mes Milanit dhe Cagliarit hapi vazon e Pandorës te klubi kuqezi duke nxjerrë në pah përçarjen totale mes pronarëve të klubit dhe ish drejtuesve të tij. Ajo që zbuloi detajet e prapaskenës ishte gazetarja e ‘Corriere Della Sera’, Monica Colombo që foli për një moment sesi suksesi i skuadrës në fushë do të komplikonte planet e përcaktuara nga pronarët e klubit në tryezë

Festimi i Tares dhe shtangia e drejtuesve të tjerë. Në qendër të prapaskenës është momenti i shënimit të golit të avantazhit të Milanit të shënuar nga Saelemaekers. Në atë moment, ndërsa i gjithë stadiumi shpërthente nga gëzimi, në tribunën e nderit ishin ulur drejtuesit e Milanit ku ndodhi një episod ‘unik’; ‘Tregojnë se te goli i Saelemaekers në minutën e 2 të ndeshjes, vetëm Igli Tare festoi të tjerët mbetën të palëvizur, thuajse të bezdisur për rrjedhën që po merrte ndeshja’-theksonte Colombo. Objektivi i kërkuar Allegrit dhe Tares ishte kualifikimi në Ligën e Kampioneve dhe arritja e tij do ta bënte praktikisht të pamundur largimin e tyre nga klubi në fund të sezonit

Hija e Ibrahimovic dhe sherri në restorant. Pas kësaj ftohtësie nga ana e drejtuesve të Milanit duket se qëndron Zlatan Ibrahimovic, Këshilltari i Lartë i RedBird, raportet e të cilit me ish trajnerin dhe ish drejtorin sportiv s’kanë qenë aspak të mira. Gjithnjë sipas Corriere Della Sera, krisja e raporteve mes Allegrit dhe suedezit i ka rrënjët e thella në një episod specifik të ndodhur në një restorant milanez ku Ibrahimovic dhe trajneri u përfshinë në një sherr për zgjedhjen e portierit të tretë aq sa u desh ndërhyrja e Tares për t’i ndarë.

Një revolucion i paramenduar në Londër. Por mesa duket planet për revolucionin në skuadër ishin bërë  prej kohësh. Sipas gazetarëve Gianluca Di marzio e Matteo Moretto, drejtuesit e RedBird kishin nisur të bënin lëvizjet e tyre prej disa javësh për të programuar të ardhmen e Milanit pa Massimiliano Allegrin dhe Igli Taren dhe udhëtimet e vazhdueshme dhe takimet strategjike në Londër shërbenin për vendosjen e bazave për kursin e ri të kuqezinjve. Dështimi në objektivin për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve ishte preteksti perfekt për të justifikuar shkarkimet masive dhe për të nisur një revolucion për të cilin ishte marrë një vendim. Ishte kjo një përçarje e madhe që tani pas golit të Saelemaekers u bë publik dhe e mësuan të gjithë.

Top Channel