Detajet/ Zjarr në një magazinë në Durrës, ndërron jetë 25-vjeçari nga Bangladeshi, plagoset kolegu nga Kenia

24/05/2026 09:27

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në zonën e Fllakës, në Sektorin Rinia, ku një zjarr i rënë në ambientet e një magazine ka shkaktuar humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e një tjetri.

Sipas informacionit paraprak të policisë, rreth orës 08:00, flakët kanë përfshirë ambientin ku gatuhej për punonjësit e subjektit me administrator shtetasin S. M. Dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë shpërthimi i një bombule gazi.

Si pasojë, ka humbur jetën nga asfiksia shtetasi O. M., rreth 25 vjeç, me origjinë nga Bangladeshi. Ndërkohë, një tjetër punonjës, shtetasi Ch. Ch., rreth 30 vjeç, nga Kenia, është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë shërbimet e Policisë dhe forcat zjarrfikëse, të cilat bënë të mundur izolimin dhe fikjen e flakëve.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Top Channel