“Më dridhej dora!”/ Pamjet që tronditën rrjetin, a dërgoi zyrtari i VAR një mesazh të fshehtë ekstremist ‘live’?
Mallorca ka rënë zyrtarisht nga La Liga, duke zbritur në Segunda Division pas një sezoni të trazuar. Fitorja e pastër 3-0 ndaj Real Oviedos në ndeshjen e fundit të kampionatit në stadiumin “Son Moix”, nuk mjaftoi për të shpëtuar ekipin ishullor nga rrëzimi.
Skuadra nga Balearet e mbylli kampionatin në vendin e 18-të me 42 pikë. Në një dramë të vërtetë të javës së fundit në futbollin spanjoll, ku plot gjashtë skuadra rrezikonin mbijetesën, kombinimi i rezultateve nga fushat e tjera rezultoi fatal për ta.
Për sportdashësit shqiptarë, kjo rënie lë një shije jashtëzakonisht të hidhur, pasi eklipson një sezon absolutisht fantastik të Vedat Muriqit. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës shkëlqeu individualisht, duke u shpallur golashënuesi i dytë më i mirë në të gjithë La Ligan.
Fakti që një skuadër bie nga kategoria pavarësisht se ka në majën e sulmit një “bomber” me statistika të tilla, e bën dështimin sportiv edhe më absurd. Kjo tregon qartë se problemet e Mallorcas ishin thellësisht sistemike, ku defektet në prapavijë zhvlerësuan punën ofensive të “Piratit”.
Për klubin, kjo rënie vjen si një goditje e rëndë dhe e papritur. Bëhet fjalë për një skuadër që vetëm pak kohë më parë (në vitin 2024) preku finalen e Kupës së Mbretit dhe gjunjëzoi gjigantë si Real Madridi, të cilin e mposhti 2-1 në prill të këtij sezoni. Megjithatë, mungesa e vazhdimësisë dhe pikët e lëna ndaj rivalëve mesatarë i kushtuan qëndrimin në elitë.
Së bashku me Real Oviedon, i rënë matematikisht disa javë më parë dhe një skuadër të tretë, Mallorca do të rinisë rrugëtimin në ligën e dytë sezonin e ardhshëm. Tifozët e “Bermellones” përjetuan momente dëshpërimi në tribuna, teksa lajmet e këqija që vinin nga stadiumet e tjera shuan çdo shpresë dhe zbehën tërësisht gëzimin e fitores së fundit ndaj Oviedos. Pyetja e madhe që mbetet tashmë në merkato është: çfarë do të ndodhë me të ardhmen e Vedat Muriqit?
Top Channel