Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se me urdhër të Prokurorit Kujdestar është ndaluar për 48 orë këngëtari i njohur si Gjesti, Besart Kelmendi.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimi është bërë për shkak të dyshimit se ka kryer disa vepra penale, përfshirë mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve si dhe veprat penale kanosje dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rastit.

“Për shkak të fazës së hershme të procedurës hetimore dhe me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të ofrohen detaje shtesë lidhur me rastin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se brenda afateve ligjore do të ndërmerren veprimet procedurale të nevojshme dhe do të vendoset për masat e mëtejshme, në përputhje me Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB